Kjo listë është bazuar në minutat që futbollistët kanë luajtur në kampionat me klubet e tyre dhe në nivelin e ekipeve ku janë regjistruar lojtarët, që prej 1 janarit 2020.
Në këtë listë renditet edhe mbrojtësi i talentuar i Kombëtares Shqiptare të futbollit, Marash Kumbulla. Talenti “kuqezi”, i cili u transferua tek ekipi i Romës në shtator ka bërë mjaft mirë me ekipin kryeqytetas, duke marrë edhe këtë vlerësim nga observatori i futbollit.
Në këtë listë, Marash Kumbulla, renditet përkrah emrave të tillë si Sancho e Haaland, futbollistë të Dortmundit, Vinicius Junior i Real Madridit, Tonali i Milanit etj, të cilët po bëjnë shumë mirë me ekipet e tyre.
Vlerësimi që i bëhet lojtarit “kuqezi” është një lajm i mirë, jo vetëm për vetë futbollistin, por edhe për Kombëtaren Shqiptare.
Observatori i futbollit “CIES” është një grup kërkimor brenda Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, një qendër studimi e pavarur, me seli në Zvicër, e specializuar në analizën statistikore të futbollit dhe është krijuar më 2005 nga dr. Raffaele Poli dhe dr. Loïc Raveneli.