Qytetet e ngrira të Rusisë

Shtëpi të mbuluara nga bora, copa akulli të ulura “këmbëkryq” në apartamente… Janë pamjet më të zakonshme në qytetet e braktisura që rrethonin dikur Vorkutan, qendrën minerare të Arktikut rus, ku i ftohti është brutal dhe koha duket se ka ngrirë bashkë me gjithçka tjetër.

Fotografja Maria Passer udhëtoi në këto zona për të dëshmuar me aparatin e saj kushtet ekstreme të motit atje dhe impaktin që kanë pasur në godinat e braktisura.

Vorkuta ka qenë një qytet famëkeq, pjesë e gulagëve, kampeve ku disidentët e regjimit komunist dërgoheshin për të bërë punë të detyruar në vitet 1930-60. Në vitet e fundit të ekzistencës së Bashkimit Sovjetik në zonë u afruan edhe njerëz nga krahina të tjera, në kërkim të punës në minierat e qymyrit.

“Për të tërhequr minatorë në një zonë të tillë, rrogat duhet të ishin shumë të mira”, thotë Passer për CNN Travel. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, minierat nisën të mbylleshin dhe qytetet u zbrazën përsëri. Dhjetëra e qindra struktura banimi kanë mbetur tanimë të boshatisura, të pushtuara nga ngrica dhe akulli.

Fotot e realizuara nga Passer, në temperatura që arrijnë deri në -38 gradë celsius, kanë bërë xhiron e botës. Passer thotë se në këtë mënyrë, njerëzit mund të mësojnë edhe si ka qenë jeta dikur në këtë cep të Arktikut, dhe si natyra rimerr pushtetin pas largimit të njeriut.