Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në hapjen e ekspozitës me 59 fotografi në kuadër të Ditëve të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Secila foto është rrëfim në vete. Secila e ka një mesazh, shumica prej tyre të papublikuara më parë”, ka thënë Osmani.
Ajo tha se rruga deri në liri dhe pavarësi nuk ka qenë as e lehtë dhe as e shkurtër, duke përmendur sakrificën e familjes Jashari, dëshmorëve, viktimave civile, dëbimin e shqiptarëve gjatë luftës dhe të pagjeturit për të cilët tha se Kosova nuk duhet të ndalet deri sa ta zbardhë fatin e gjithsecilit.
“59 fotot e sotme janë tablo reale të një periudhe të jetuar dhe dëshmi autentike e rrugëtimit tonë për liri. Ato janë historia jonë më e re të cilën assesi nuk duhet ta harrojmë”.
“Gjersa ne lëvizim para, nuk mund të mos e kthejmë shikimin prapa”.
Për më tepër, Osmani shtoi që ata duhet ta ngritin zërin për drejtësi gjë të cilën e konsideron parakusht për paqe të qëndrueshme.