Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim në balotazhin e 9 nëntorit në Komunën e Fushë Kosovës.
Por kjo marrëveshje duket se nuk është pritur mirë nga votuesit e PDK-së, sipas një sondazhi të publikuar nga “Fushë Kosova Portal”.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë fituese, me 45.15 %, kurse LDK-ja, renditej e dyta me 36.66 %, ndërsa PDK-ja, e treta me 16.15 %.

Ky rezultat tashmë duket se po ndikon edhe në qëndrimet e votuesve të tjerë për balotazhin e ardhshëm.
Sipas sondazhit me pyetjen: “Votues i PDK-së, cilën parti do ta votosh në balotazh?”, rezultatet kanë qenë si më poshtë: 70 % e të anketuarve janë shprehur se do të votojnë për Vetëvendosjen,ndërsa 30% kanë deklaruar se do të mbështesin Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Ky sondazh tregon qartë se shumica e votuesve të PDK-së në Fushë Kosovë janë kundër marrëveshjes së arritur nga udhëheqësit e partisë së tyre me LDK-në.
Sipas analistëve lokalë, ky është një sinjal i qartë se koalicioni nuk ka mbështetjen e bazës dhe se vendimi është marrë pa konsultuar strukturat lokale të partisë.
Në rrjete sociale, qytetarët kanë reaguar me tone të ashpra, duke theksuar se “marrëveshjet e mbyllura në tavolina politike nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve”.












