Periudhë e artë e futbollit kosovar: Suksese, zhvillim dhe vizion i qartë

Futbolli kosovar po përjeton një periudhë të artë dhe emocionuese. Brenda një muaji, Federata e Futbollit e Kosovës ka shënuar një seri arritjesh që jo vetëm pasqyrojnë progresin sportiv, por edhe rritjen e peshës ndërkombëtare të vendit tonë në skenën e futbollit global.

 

Kombëtarja e Kosovës shkroi një faqe të re në historinë e saj, duke triumfuar 1:0 ndaj Suedisë në “Ullevi” të Goteborgut, që ishte fitorja e dytë ndaj këtij rivali të madh, pas triumfit në shtator në “Fadil Vokrri”. Një fitore që nuk ishte thjesht rezultat, por dëshmi e karakterit, guximit dhe përkushtimit të djemve tanë dardanë. Goli vendimtar i Fisnik Asllanit dhe paraqitja e shkëlqyer e mbrojtësve si Albian Hajdari dhe Dion Gallapenin treguan se Kosova ka talent, forcë dhe strukturë taktike për të konkuruar me kombëtaret më të forta evropiane. Me këtë fitore, Dardanët forcojnë pozicionin e dytë në grup dhe ëndrra për kualifikim në Kupën e Botës 2026 bëhet gjithnjë e më e prekshme nën drejtimin e strategut gjerman, Franco Foda.

Një ditë më pas suksesi i Kombëtares U21, e cila mposhti bindshëm San Marinon (7:0), gjithashtu është një tregues i qartë se baza e futbollit kosovar po forcohet. Talentet e rinj po integrohen gradualisht në skemën e Kombëtareve, duke garantuar kontinuitet dhe zhvillim afatgjatë. E prurjet e reja si Leon Avdullahu e Albian Hajdari janë rezultat edhe i lidershipit vizionar të presidentit Agim Ademi, i cili me vendimmarrje të mençur dhe mbështetje të vazhdueshme ka siguruar hapësira për talentet e reja dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e ekipit.

Edhe në nivel institucional, FFK po tregon vizion dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Një nga momentet më të rëndësishme ishte vizita e dytë në Kosovë e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo vizitë nuk ishte vetëm një nder për Infantonin, por edhe një vlerësim për punën e palodhur të FFK-së. Raportet e shkëlqyera dhe bashkëpunimi i ngushtë mes presidentit Infantino dhe Agim Ademit tregojnë për një angazhim të përbashkët në avancimin e futbollit kosovar dhe në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Zgjedhja e presidentit Ademi si anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s është një njohje ndërkombëtare e punës së palodhur për avancimin e futbollit kosovar. Ky rol, krahas atij në Komitetin HatTrick të UEFA-s, sjell mundësi të reja bashkëpunimi dhe rrit integrimin e Kosovës në strukturat më të larta sportive ndërkombëtare.

0

FFK nuk është ndalur së investuari në zhvillimin e infrastrukturës, ku janë përururar fusha të reja stërvitore, si dhe në edukimin e brezave. Lajmi për hapjen e Akademisë së parë të FIFA-s në shtetet e Ballkanit për talentet U14 pikërisht në Kosovë, e dedikuar për djem dhe vajza si dhe fillimi i përgatitjeve për Licencën UEFA Pro për trajnerët në vitin 2026 janë arritje të jashtëzakonshme dhe tregues i ngritjes së standardeve të futbollit kosovar dhe profesionalizmit të trajnerëve. Këto projekte tregojnë qartë se FFK synon të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj, duke garantuar barazi dhe mundësi për të gjithë.Madje, fillimi i lëshimit të Licencave UEFA Pro nga FFK në vitin 2026 bëhet në kohë rekorde dhe kjo falë punës profesionale dhe përkushtimit të Departamentit Teknik të FFK-së.

 

Përveç suksesit në fushë dhe zhvillimeve institucionale, FFK po fuqizon edhe komunikimin dhe gjithëpërfshirjen. Gjatë këtyre javëve është bërë edhe lansimi i “FFK Podcast”, e që i paraprinë projektit FFK TV. Ky format i ri komunikimi me publikun po transmetohet çdo të mërkurë në kanalin zyrtar të FFK-së në YouTube dhe në rrjetet sociale.

Po ashtu FFK është përfshirë në projektin e BE-së “Move Up” për promovimin e përgjegjësisë sociale përmes sportit dhe aktivitete të tjera inovative të gjeneratave mbi 40-vjeç, që trego përkushtimin e federatës jo vetëm ndaj futbollit, por edhe ndaj komunitetit dhe shëndetit publik.

 

Një dekadë nga anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, futbolli kosovar ka kaluar nga izolimi në afirmim ndërkombëtar, nga ëndrra në realitet dhe nga sfidat në suksese. Periudha e fundit është dëshmi se kur ka vizion, punë të palodhur dhe përkushtim të përbashkët, ëndrrat bëhen të prekshme.

 

Roli i presidentit Agim Ademi është kyç në këtë histori suksesi. Lidershipi i tij i vendosur, vizioni për të integruar talentet e reja dhe përkushtimi ndaj zhvillimit të futbollit kanë sjellë rezultatet e dukshme në fushë dhe në strukturat institucionale. Sot, Kosova është në rrugën e saj drejt madhështisë sportive.

Le të shpresojmë se nëntori si muaj i lavdisë për shqiptarët do të jetë edhe muaj i realizimit të ëndrrës së madhe, kualifikimit në Kupën e Botës 2026.