Ka përfunduar dëshminë eksperti mjeku-ligjor Naim Uka për vrasjen e Liridona Ademajt në seancën e mbajtur sot ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plana dhe Kushtrim Kokalla. Pas tij pritet të paraqitet një dëshmitarë tjetër në ora 13:30.
Tre të akuzuarit u sollën në gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Në këtë seancë dëshmoi mjeku ligjor Naim Uka. Ai tha se nga ekzaminimet e kryera, e ndjera Liridona Ademaj ishte qëlluar me armë nga një distancë që sillet 2 deri në 5 cm.
“Gjatë procedurës së mjekësisë, mjekoligjore është konstatuar vrima hyrëse në rajonin e djathtë muror të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, e cila kishte drejtim nga djathtas majtas, nga përpara pjerrtas dhe pas, dhe nga poshtë pjerrtas lart. Është e rëndësishme të ceket se pjesë metalike të kësaj predhe është gjetur në anën e majtë murore të kokës, e cila është dorëzuar si provë sipas zinxhirit të ruajtjes së provave të policisë hetuese. Si rezultat i kësaj plage ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme dhe jashtme trurore, e cila është shkaku i vdekjes. Në bazë të provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet rreth 2 deri në 5 cm”, ka thënë Uka para trupit gjykues.
Uka gjithashtu tha se nga ekzaminimet e bëra del një matomë në dorën e majtë të së ndjerës e shkaktuar siç tha ai para ose gjatë vrasjes. I akuzuari Naim Murseli, iu drejtua me një pyetje Ukës, duke i thënë nëse ekzaminimet e kryera tregojnë se “ai ka mbajtur bashkëshorten e tij për t’iu shmangur plumbit”, por që mjeku ligjor tha se ai e ka për obligim të bëjë vetëm përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor.
“Mjeku ligjor nuk paragjykon pozita apo situata të cilat kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes. Mjeku ligjor e ka obligim të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor duke i përshkruar karakteristikat e dëmtimeve trupore në bazë të të cilave bëhet edhe interpretimi”, deklaroi Uka në seancën gjyqësore.