UEFA HatTrick mbështet projektin e FFK-së për instalimin e reflektorëve në stadiumet e Kosovës

Mbledhja e radhës e Komitetit UEFA HatTrick u zhvillua në Kaunas të Lituanisë, ku u diskutuan dhe miratuan projekte të rëndësishme për federatat anëtare të UEFA-s. Në këtë takim mori pjesë edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili është anëtar i këtij organi të rëndësishëm të futbollit evropian.

Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se një nga projektet e miratuara është edhe instalimi i reflektorëve në stadiumet e futbollit në Kosovë.

Sipas presidentit Ademi “ky investim ka për qëllim që në Superligën e Kosovës ndeshjet të zhvillohen edhe në orët e mbrëmjes, duke rritur kështu shikueshmërinë, atmosferën dhe standardet e garës”.

“Krenar që projektet e FFK-së po marrin mbështetjen e plotë të UEFA-s dhe që futbolli ynë po ecën drejt kushteve gjithnjë e më moderne”, theksoi Ademi në postimin e tij në rrjetet sociale.

Ky projekt konsiderohet një tjetër përparim i rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.