Grupi i njohur i tifozëve të Kosovës, “Dardanët”, kanë dalë me një mesazh të qartë pas ndeshjes së fundit të kombëtares, ku pavarësisht rezultatit jo të favorshëm, ata theksojnë se përkrahja për ekipin tonë nuk do të mungojë asnjëherë.
Në postimin e tyre, “Dardanët” shprehen se mbështetja për kombëtaren është e pakushtëzuar dhe se vetëm ata që nuk kanë besuar kurrë janë larguar, por jo tifozët e vërtetë.
“Përkrahja për ekipin tonë nuk ka alternativë, pa marrë parasysh mbrëmjes jo të mirë që patën djemtë tanë në ndeshjen e fundit. Kokulur dhe dezertorë të menjëhershëm janë vetëm ata që nuk kanë besuar kurrë. Ne nuk jemi nga ata. Pa asnjë rezervë do të vazhdojmë t’u qëndrojmë besnikë dhe në përkrahje djemve tanë që përfaqësojnë shtetin tonë të përbashkët”, thuhet në reagimin e tifogrupit.
Ata kanë bërë thirrje për motivim, rikëndellje dhe besim të plotë në ndeshjen e radhës ndaj Suedisë, e cila zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke e cilësuar këtë impiant si mitik për kombëtaren tonë.
Njëkohësisht, “Dardanët” kanë njoftuar edhe për shpërndarjen e biletave në sektorin e veriut, të rezervuar për ta. Shpërndarja ka nisur që sot pranë fanclub-it zyrtar në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera përmes përfaqësuesve të tyre.
Në fund, mesazhi i tyre është mbyllur me fjalët e zakonshme që përfaqësojnë besnikërinë e paepur ndaj Kosovës:
“Besa-besë, Kosovë!”
Ndeshja Kosovë – Suedi zhvillohet të hënën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”