Federata e Futbollit e Kosovës po shënon standarde të reja në aspektin organizativ dhe logjistik, duke dëshmuar se zhvillimi i futbollit në vend nuk ka alternativë.
Në vazhdën e përkushtimit për t’u ofruar futbollistëve kushte të barabarta me ato të ekipeve më të fuqishme evropiane, përveç Kombëtares A, tashmë edhe Kombëtarja U21 ka filluar të udhëtojë me fluturime çarter për ndeshjet ndërkombëtare. Ky hap është një dëshmi e qartë se FFK po investon në mënyrë serioze edhe te gjeneratat e reja, duke u siguruar që të rinjtë të kenë komoditet dhe fokus maksimal në fushën e lojës.
Ekipi U21, përveç udhëtimit me çarter, është akomoduar në hotele me pesë yje dhe shfrytëzon të gjitha shërbimet e nivelit më të lartë.
Kjo qasje profesionale është në linjë me vizionin e FFK-së për ta ngritur organizimin në një nivel më të lartë, ku çdo ekip kombëtar i Kosovës, pavarësisht grupmoshës, gëzon kushte optimale për punë dhe sukses.
Ky nivel i organizimit është dëshmi se futbolli i Kosovës po bën hapa të mëdhenj drejt profesionalizmit, duke krijuar bazë të fortë për rezultate të mëdha në arenën ndërkombëtare.
Derisa Kombëtarja A ka mbërritur tashmë në Bazel ku do të përballet me Zvicrën, edhe Kombëtarja U21 ka arritur në Iasi ku po ashtu të premten luan ndeshjen e parë kualifikuese të Evropianit kundër Rumanisë.
Për kushtet moderne të krijuara për futbollistët e Kombëtares A dhe U21 pa dyshim meritor është presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili po bën çmos që ekipet kombëtare të kenë të gjitha kushtet e nevojshme për sukses.