Agim Ademi bën historinë në UEFA, i ndahen dy pllaketa për projekte madhore

Në një moment të rëndësishëm për futbollin kosovar, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë dy pllaketa nga UEFA, në shenjë vlerësimi për investimet dhe zhvillimin e infrastrukturës futbollistike në vend.

 

Këto pllaketa i janë ndarë nga kryetari i Komitetit HatTrick të UEFA-s, Karl-Erik Nilsson, gjatë mbledhjes së mbajtur në Prishtinë, ku u diskutua mbi progresin e projekteve të realizuara në kuadër të programit HatTrick të UEFA-s.

 

Dy pllaketat e ndara për Ademi janë për projektet strategjike:

 

●Kampin Nacional në Hajvali – Një projekt i rëndësishëm që synon të përmirësojë kushtet për zhvillimin e talenteve të rinj dhe ekipeve kombëtare.

 

●Selinë e re të FFK-së – “Shtëpia e Futbollit” – Një hapësirë moderne administrative që forcon menaxhimin dhe organizimin e futbollit në Kosovë.

 

Karl-Erik Nilsson e ka cilësuar këtë si një moment historik, pasi asnjëherë më parë në historinë e programit UEFA HatTrick nuk janë ndarë dy pllaketa për projekte të ndryshme në një federatë brenda një periudhe kaq të shkurtër.

 

Këto projekte madhore kanë nisur pas ardhjes së Agim Ademit në krye të FFK-së, duke dëshmuar qartazi përkushtimin e tij për zhvillimin e infrastrukturës futbollistike në vend. Ndarja e këtyre dy pllaketave nga UEFA është një konfirmim i drejtpërdrejtë i suksesit të menaxhimit dhe vizionit të tij për të çuar futbollin kosovar në një nivel tjetër. Falë këtyre investimeve, FFK po krijon kushte më të mira për futbollistët, trajnerët dhe gjithë komunitetin e futbollit, duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm për sportin më të dashur në vend.

 

Me këto arritje, FFK po dëshmohet si një federatë me vizion dhe menaxhim të shkëlqyeshëm, duke fituar besimin dhe përkrahjen e UEFA-s për projekte të reja në të ardhmen.

 

Futbolli në Kosovë ka hyrë në një epokë të re, dhe me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare si UEFA e FIFA, padyshim perspektiva për të ardhmen duket më premtuese se kurrë.