Prokuroria paraqet kërkesë në Gjykatë për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në PSRK

Prishtinë- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë që Kryeministri Albin Kurti të dëshmojë si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate, e cila tha se kërkesa është duke u shqyrtuar.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Ndryshe, Kurti nuk i ishte përgjigjur kërkesave të Prokurorisë që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në PSRK. Herën e parë, ai u ftua më 11 dhjetor 2024, ku ishte ftuar të dëshmojë me datë 16 të atij muaji.

Kryeministri kishte ftuar prokurorët që të shkojnë në kryeministri ta intervistojnë dhe ua kishte propozuar tri orare.

“Ekziston komunikimi midis Kryeministrisë dhe Prokurorisë dhe nuk mund të merrem paradite, pasdite, përditë me këtë çështje, unë do të merrem atëherë kur të vijnë në Kryeministri të më intervistojnë si dëshmitar, jam i hapur, jam i gatshëm, jam i vullnetshëm e i interesuar që në kryeministri ta japë deklaratën time si dëshmitar siç kanë kërkuar”, kishte thënë Kurti. /BetimipërDrejtësi