Klubet e Ligës së Parë vazhdojnë përgatitjet në Durrës, presidenti Ademi viziton ekipet

Klubet e Ligës së Parë të Kosovës po vazhdojnë fazën përgatitore në Durrës, duke u përgatitur maksimalisht për stinorin pranveror, i cili nis më 15 shkurt. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka qëndruar sërish në Durrës për të vizituar disa prej skuadrave që po zhvillojnë përgatitjet në bregdetin shqiptar.

Gjatë vizitës së tij, presidenti Ademi takoi FC Trepça’89 dhe FC Kika, ndërsa në kompleksin “Tropikal” u takua edhe me FC Trepçën dhe FC Prishtina e Re, të cilat i kishte vizituar edhe ditë më parë. Ai u shpreh i lumtur për kushtet optimale në të cilat po zhvillohen përgatitjet dhe për seriozitetin me të cilin klubet po i qasen këtij procesi.

“Jam i lumtur që klubet e Ligës së Parë po përgatiten në nivelin më të lartë të mundshëm. Të gjitha ekipet po punojnë me seriozitet dhe profesionalizëm, çka padyshim do të ndikojë në rritjen e cilësisë së garës, por edhe në zhvillimin individual të futbollistëve. Uroj që ata të kenë një sezon të suksesshëm dhe me sa më pak lëndime”, ka theksuar Ademi.

Ai gjithashtu ka siguruar se FFK ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e sezonit pranveror, me një fokus të veçantë tek gjyqtarët, të cilët pritet të kenë një rol kyç në ruajtjen e një gare të drejtë dhe cilësore. “Duke qenë se klubet janë ngritur në një nivel më të lartë, gjyqtarët duhet të jenë tepër të kujdesshëm për të siguruar një garë korrekte”, ka shtuar ai.

Ky sezon pritet të jetë tejet atraktiv dhe konkurrues, duke pasur parasysh se nga edicioni i ardhshëm Liga e Parë do të funksionojë unike, e jo si deri tash e ndarë në dy grupe.