Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha sot se krenaria e nderi i Kosovës janë viktimat e dhunës seksuale.
Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga QKRMT mbi dhunën seksuale deklaroi se drejtësia nuk arrihet pa u mbajtur përgjegjës kriminelët.
“Dua të ju sigurojë që mbështetja jonë për ju do të rritet dhe do të vazhdojë… Për këto 25 vjet e kemi kujtuar dhimbjen, por kemi dëshmuar se përkundër kësaj dhimbje ka shpresë dhe vendosmëri”, deklaroi Osmani.
“Ata që kërkuan ta çnderojnë Kosovën nuk ia dolën kurrë, sepse gratë e mbijetuara janë nderi ynë. Mbështetja jonë për këtë kauzë ka vetëm një fillim, kur QKRMT u themelua 25 vjet më parë dhe nuk ka fund. Për 25 vjet, QKRMT ka bërë diçka për të mbijetuarit që fjalët nuk mund ta përshkruajnë plotësisht.
QKRMT ka ofruar një strehë të sigurt – një strehë, fizike dhe emocionale – për qindra të mbijetuar të dhunës seksuale”, citohet të ketë thënë Osmani.
Ndërkaq, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi Goodman e cila gjashtë vjet më parë rrëfeu publikisht për krimin e përjetuar, kujtoi ditën e 14 prillit të vitit 1999.
Vasfije Krasniqi Goodman tha se asnjëherë nuk do e harrojë tmerrin e përjetuar.
“Kjo mund të jetë një tregim, por për mua 14 prilli 199 është diçka qe pavarësisht sa kohë ka kaluar kurrë nuk do të largohet nga unë…. E nderuara familja ime, faleminderit që keni qëndruar pranë meje në 24 vitet e fundit dhe burrit tim faleminderit shumë.
Ndonjëherë mundohem të jem e mirë gjatë gjithë kohës… Është vështirë me qenë në Kosovë kur ke të mbijetuar të tjerë që më kontaktojnë, por ka edhe të mbijetuar që vetëm ju premtohet të aplikojnë për status, por nuk ju njihet statusi. Dhe kjo është diçka që nuk ja fali qeverisë time”, deklaroi ai.
Në 25-vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, po mbahet konferenca ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt.
Në këtë konferencë po merr pjesë Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe, raporton kp.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti kujtoi vjeshtën e vitit 1998, ku tha se për herë të parë takoi popullatën e prekur nga lufta. Në mesin e tyre, ajo theksoi se grupi më i prekur ishin te mbijetuarat e dhunës seksuale, te cilët kishin nevojë për përkrahje emocionale.