Policia kontrollon autobusin kryesisht me nxënës në Ferizaj, gjen armë, thika e boks hekuri – FOTO

Një armë zjarrri, dy thika dhe një boks hekuri janë gjetur nga Policia e Kosovës në një autobus i cili kryesisht bartë nxënës të shkollave të mesme, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj.

Sipas organeve të rendit kontrolli është bërë më 15.10.2024 në orën 20:00 në njërin nga autobusët që bart udhëtarët nga Ferizaj në drejtim të fshatrave Doganaj- Greme dhe Gaçkë.

“Zyrtarët policorë me uniformë dhe ata me rroba civile kanë kontrolluar udhëtarët, me dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin me vete mjete të dyshimta, të rrezikshme, si mjete të mprehta-thika, boksa hekuri e të tjera. Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht me nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur: një armë zjarri, dy thika dhe një ‘Box hekuri’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin”- thuhet në komunikatën e Drejtorisë Rajonale në Ferizaj.

 

Me urdhër të prokurorit është iniciuar një rast për hetim “Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’’.

Policia e Kosovës njofton qytetarët se do të vazhdojë kontrollimin autobusëve urbanë edhe në ditët në vijim me qëllim të parandalimit të dukurive negative.

“Ndërsa ftojmë qytetarët për bashkëpunim, që nëse kanë informacione rreth dukurive negative tek nxënësit  të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ’’ dhe në  numrat kujdestarë  të cilët janë 192 , 0290/326-250 dhe 0290/322-406”- thuhet në njoftim.

Foto: Policia e Kosovës

 

Foto: Policia e Kosovës
Kallo.com