I dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, i cili mori pjesë në samitin e sotëm të Procesit të Berlinit, tha se ka ardhur koha që integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE të bëhet realitet.
Në rrjetin social “X”, Lajçak ka vlerësuar se në kuadër të procesit të Berlinit janë bërë shumë gjëra të dobishme për njerëzit e rajonit.
“Në përvjetorin e 10-të, mesazhet ishin shumë të qarta: është arritur shumë për njerëzit e rajonit, por ka ardhur koha që të bëhet realitet integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE”, theksoi Lajçak.
Ai shtoi se ka marrë pjesë në samitin e sotëm të Procesit të Berlinit me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Scholz.