Qeveria e Kosovës e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Europian ka kërkuar “aprovimin e kësaj agjende të reformave”, ndërsa tregoi se ajo u negociua me Komisionin Europian nga një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.
Kurti tha se Kosova “ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare për secilën reformë, si dhe listën indikative të projekteve investive”.
Agjenda, siç tha Kurti, përfshin pesë fusha, 30 reforma dhe 111 hapa ose veprime konkrete. Aty, tha se hyjnë “qeverisja e mirë, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, vlerat themelore dhe sundimi i ligjit”.
“Nga kjo agjendë e reformave, brenda katër viteve të ardhshme do të jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve të nevojshme, gjithsesi pozitive, të cilat do të ndodhin në Republikën e Kosovës”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se Komisioni Europian më pas “do të përgatisë marrëveshjen nga instrumenti nga plani i rritjes dhe marrëveshjen për hua”.
Bislimi, ndërkaq, tha se kjo agjendë është “rezultat i një pune pothuajse njëvjeçare”.
Këshilli i Bashkimit Europian e ka miratuar në maj Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.
Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare, ndërsa Kosovës dhe Serbisë u kërkohet “progres i matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i sasj i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut.
Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.