Kompania Beni Dona e cila ka pasur kontratë deri të hënën për përgatitjen e ushqimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka reaguar përmes një njoftimi për media pas lajmeve se FSK ka mbetur pa shujtat e ushqimit. Një ditë më parë u raportua se pas skadimit të kontratës duhet improvizim duke angazhuar punëtorët e Mensës së Studentëve që të udhëtojnë në kazerma për t’ua përgatitur ushqimin ushtarakëve.
Në njoftimin e kësaj kompanie thuhet se kompania i ka dërguar të hënën FSK-së letër zotimin përmes së cilës kanë shprehur gatishmërinë për mbështetje stafit të FSK për përgatitjen e ushqimit sipas kërkesë së tyre edhe pas skadimit të kontratës, e cila ka përfunduar më 30.09.2024.
Kompania thekson tutje se nuk kanë pranuar asnjë përgjigje dhe pavarësisht kësaj, kanë ndërmarrë masat e tyre.
“Sot kemi pranuar disa informacione se në disa kuzhina është lejuar hyrja e punëtorëve tanë, ndërsa në disa të tjera nuk është lejuar hyrja për arsyet të cilat ne nuk i dimë.
Po ashtu edhe mallin tonë (artikujt ushqimor), pajisjet e punës si dhe inventarin tonë, e kemi lënë në dispozicion të tyre edhe për disa ditë si ata të vendosin, si dhe stafin i cili do të jetë vetëm në cilësi të mbështetjes, këshillimit dhe përgatitjes së ushqimit.
Për fund ju njoftomë se ne sot më datë 01.10.2024 kemi bërë mbështetjen e të gjitha kuzhinave të FSK në tërë territorin e Republikës së Kosovës me stafin tonë siç kemi bërë edhe herëve tjera kur ka qenë e nevojshme apo na është kërkuar një gjë e tillë, dhe atë e kemi bërë pa kurrfarë kompensimi material”, thuhet në njoftim.