Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave U15 është grumbulluar në Kampin Nacional në Hajvali. Qëllimi i këtij grumbullimi është seleksionimi i futbollisteve më të mira dhe ndërtimi i ekipit, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në “Turneun Zhvillimor U15” i cili mbahet në Shqipëri, në datat 29 shtator – 5 tetor 2024. Në këtë kamp janë ftuar gjithsej 30 futbolliste, prej tyre tri nga diaspora.
Përzgjedhësja e kësaj grupmoshe Xhuli Berisha tha se seleksionimi nuk ështē edhe aq i vështirë pasi që i njeh kapacitetet e futbollisteve vendore, derisa theksoi edhe talentin e tri futbollisteve të ardhura nga jashtë. Nga ana tjetër Arlinda Gashi e cila për herë të parë është grumbulluar me kombëtaren, ndau emocionet e saj për ftesën e Kosovës, duke theksuar se edhe familja e saj e kanë pritur me gëzim këtë moment.
E Leona Maloku tha se ky kamp do t’iu shërbejë për t’u njohur më mirë me njëra – tjetrën, derisa me optimizëm foli edhe për turneun në Shqipëri. Në “UEFA Development Tournament” marrin pjesë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Estonia. Kosova përballjen e parë do ta ketë ndaj Shqipërisë, kundërshtari i dytë do të jetë Maqedonia e Veriut, derisa turneun do ta përmbyllë me Estoninë.