Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, ka bërë thirrje që Serbia të marrë masat e nevojshme që autorët e sulmit me në krye Milan Radoiçiq, të sillen para drejtësisë.
Derisa ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, Hargreaves ka lavdëruar punën e Policisë për vendosjen e rendit atë ditë, si dhe prokurorëve që kanë ngritur aktakuzën.
“Sot bëhet një vit nga vrasja e policit Afrim Bunjaku dhe ngjarjet tronditëse që ndodhën në Banjskë. I bëj nder profesionalizmit dhe trimërisë së Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023 dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre duke ngritur aktakuzë. Britania e Madhe vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi, përfshirë Milan Radoiçiq, të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Serbisë që të marrë masat e nevojshme për të siguruar që kjo të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “X”.