Në katër vjetorin e arritjes së marrëveshjes së Washingtonit, ish -kryeministri Avdullah Hoti, nënshkruesi i kësaj marrëveshjeje me Serbinë, ka fajësuar kryeministrin e tanishëm Albin Kurti, për moszbatim të kësaj marrëveshjeje. Hoti për RTV21 tha se në këto katër vite nuk është bërë asnjë hap për zbatimin e marrëveshjes dhe se me këtë refuzim Kosova e humbi mundësinë e fuqizimit ekonomik si një vend qendror dhe urë lidhëse mes vendeve të rajonit dhe përtej.
Sipas tij, marrëveshja është e vlefshme dhe ajo do të nis të zbatohet nga qeveria e ardhshme.
“Pasardhësi im e ka dëshmuar në vazhdimësi se është kundër kësaj marrëveshje, me fjalë e me veprime. Për të është normale një Kosovë të izoluar e nën sanksione. Nuk ka si të kuptohet ndryshe refuzimi i tij për të zbatuar këtë marrëveshje, sidomos kur administrata e re amerikane në fillim të vitit 2021 e konfirmoi gatishmërinë për të zbatuar marrëveshjen e arritur me 4 shtator 2020. Këto katër vite nuk është bërë asnjë hap për zbatimin e marrëveshjes. Me këtë refuzim, Kosova e humbi mundësinë e fuqizimit ekonomik si një vend qendror dhe urë lidhëse mes vendeve të rajonit dhe përtej. U humbën qindra miliona euro investime në rrjetin e gazit e në termocentralin me gaz, në hekurudha e në autostrada, e në shumë investime private. Sikur këto investime të ndodhnin, sot të do kishim një situatë krejt tjetër ekonomike dhe politike. Kosova do të ishte shumë më e fuqishme ekonomikisht dhe në pozitë më të favorshme për të vendosur kursin e zhvillimeve në rajon.” tha Hoti.
I pyetur për mospranimin e asnjë njohje të re të pavarësisë së Kosovës që nga ajo kohë kur Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës ne kuadër të kësaj marrëveshjeje Hoti tha se kjo është e nënkuptueshme me qasjen e kësaj qeverie.
“Njohjet e reja dhe anëtarësimet vijnë vetëm me mbështetjen e miqve tanë”, tha Hoti.
Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para katër vjetësh nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të atëhershëm të ShBA-së, Donald Trump.