Kombëtarja U21 e Kosovës, nën drejtimin e përzgjedhësit Afrim Tovërlani, ka vazhduar me përkushtim maksimal përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Izraelit, e cila do të zhvillohet më 10 shtator në Hungari. Sot, Dardanët e rinj zhvilluan seancën stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, ku atmosfera mbetet tejet pozitive dhe lojtarët janë të përqendruar në arritjen e objektivit në këtë sfidë.
Fatjon Bunjaku ndau entuziazmin e tij për ecurinë e përgatitjeve: “Këto tri ditë kanë qenë shumë të mira për ne. Atmosfera është jashtëzakonisht pozitive dhe kemi analizuar detajisht ndeshjen e fundit kundër Gjermanisë, me qëllim që të mos përsërisim gabimet kundër Izraelit. Besoj fuqishëm se nga Hungaria do të kthehemi me fitore”, tha ai.
Edhe Etnik Brruti shprehu besimin e tij për një rezultat pozitiv: “Tri ditët e fundit kanë shkuar shumë mirë. I gjithë grupi dhe stafi po punojnë maksimalisht. Atmosfera është e shkëlqyer dhe jemi të bindur se në ndeshjen kundër Izraelit meritojmë tri pikët dhe do të japim gjithçka për t’i arritur ato”.