Përhapja e lojës së rrezikshme për fëmijët në TikTok, KOMF del me një apel

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka thënë se ka ndjekur me shumë shqetësim informatat e publikuara në media mbi përhapjen e lojës së rrezikshme që po qarkullon në TikTok “Sfidë apo e vërtetë”, e cila nxit sjelljet vetëdëmtuese të fëmijëve.

Deri tani, sipas publikimeve në dy shkolla 9-vjeçare të komunës së Fushë Kosovës dhe Lipjanit, janë identifikuar rreth 20 nxënës të cilët kanë marrë pjesë në këtë lojë duke dëmtuar krahët e tyre me mjete të mprehta.

KOMF u ka bërë thirrje të gjithë fëmijëve që të raportojnë tek prindi apo mësuesi, nëse kanë informacion se shokët apo shoqet e tyre janë të përfshirë në këtë lojë.

“Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj!”, thuhet në njoftim.

KOMF u ka bërë thirrje edhe të gjithë prindërve të monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimit të tyre në internet dhe të flasin më fëmijët për këtë “lojë”, rreziqet dhe dëmet që ajo sjell.

“KOMF i bën thirrje prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve të mandatuara, të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të fëmijëve që mund të manipulohen nga kjo lojë. Po ashtu, kërkojmë të sigurohet komunikim dhe koordinim intensiv dhe i vazhdueshem mes palëve të sipërpërmendura, në mënyrë që çdo rast i ri të referohet në kohë për të marrë shërbimet dhe ndihmën e nevojshme”, thuhet në reagim.

“KOMF po ashtu u bënë thirrje institucioneve që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimin administrativ (QRK) Nr. 04/2022 për masat për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës, i cili derivon nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës”, thuhet tutje.