Ambasadori i Italisë: Serbia të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë, Kosovës i kërkohet krijimi i Asociacionit

Me rastin e Ditës së Republikës Italiane, u nënvizua se Italia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në stabilitetin dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu tha se si pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, trupat italianë do të qëndrojnë për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës në koordinim me aleatët e tyre.

“Si pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, Forcat tona të Armatosura do të qëndrojnë në vend për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë e këtij Kombi, në koordinim me aleatët tanë dhe pavarësisht nga rreziqet për sigurinë e personelit tonë, siç u dëshmua gjatë ngjarjeve të majit të vitit 2023 në Zveçan, që rezultuan me lëndime të shumta në mesin e ushtarëve tanë… Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë fazë vendimtare duke mbështetur integrimin e saj në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, nëse kjo do të kërkojë domosdo një qasje konstruktive”, tha De Riu.

De Riu potencoi se arritja e paqes dhe pajtimit të qëndrueshëm është një proces kompleks dhe se sipas tij dialogu i lehtësuar nga BE-ja, është ende kritik për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se pritet që Serbia të përmbushë përgjegjësitë e saj për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjska, ndërsa shtoi se Kosovës i kërkohet ndër të tjera që të vazhdojë me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Arritja e paqes dhe pajtimit të qëndrueshëm është një proces kompleks, me shumë shtresa, dhe Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është ende kritik për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë…Duke u mbështetur në arritjet e Ohrit dhe Brukselit vitin e kaluar, Serbia pritet të përmbushë përgjegjësitë e saj sipas Marrëveshjes së Rrugës së Normalizimit dhe të bashkëpunojë plotësisht për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjska, të cilët aktualisht janë duke jetuar në Serbi, lehtësimin e ekstradimit të tyre në Kosovë, ndërsa Kosovës i kërkohet ndër të tjera që të vazhdojë me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, shtoi De Riu.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa vlerësoi lartë kontributin e Italisë në Kosovë, tha se kjo e fundit ka qenë një mbështetëse e patundur e zhvillimit, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimit të Kosovës në komunitetin evropian.