Futbollistet e KFF Istogut janë kampione të edicionit garues 2023/24 në Ligën U17 të vajzave. Skuadra istogase në finalen e “play-off”-it, që u zhvillua sot në Kampin Nacional në Hajvali, ka shënuar fitore ndaj KFF 16 Qershorit, pas penalltive 4:2. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1.
Olsa Kuqi kaloi në epërsi Istogun në epërsi në minutën e 48-të, por shumë shpejt skuadra malishevase e riktheu baraspeshën në rezultat me golin e Blerta Hoxhës. Ndërkohë, në serinë e penalltive më efikase u treguan futbollistet istogase, të cilat në fund fituan me shifrat 4:2. Medaljet për ekipin fitues i ndau Ismajl Ajeti, anëtar i KE të FFK-së, derisa trofeun për kampionet e ndau Valbona Gashi Uka, shefe e futbollit të vajzave në FFK.
Do theksuar se në ndeshjet gjysmëfinale të ‘play-off’-it, Istogu e mundi Ferizajn, në vazhdime (1:0), derisa 16 Qershori e mundi 2 Korriku (2:0). E për suksesin e arritur KFF Istogun e ka përgëzuar kreu i FFK-së, Agim Ademi. “Urime KFF Istogu titulli i kampionit në Ligën U17. Përgëzoj drejtuesit e klubit, stafin e trajnerëve si dhe futbollistet e reja të KFF Istogu për titullin e kampionit në Ligën U17. Përgëzoj edhe skuadrat tjera pjesëmarrëse të ‘play-off’-it: KFF Ferizaj, KFF 2 Korriku dhe KFF 16 Qershorin për paraqitje të mira dhe i inkurajoj të vazhdojnë të rrisin nivelin e tyre në edicionin e ri”, ka shkrua ndër të tjera Ademi.