Milani nis bisedimet për transferimin e mbrojtësit veteran të Aston Villës

Drejtori i Milanit, Geoffrey Moncada, ka hapur bisedimet direkte me Aston Villën për qendërmbrojtësin Diego Carlos, para hapjes së afatit kalimtar veror.

‘Rossonerët’ kanë hasur në vështirësi në fazën defanzive për pjesën më të madhe të sezonit, një problem i cili do të jetë prezent edhe për duelin me Juventusin.

Për këtë arsye, transferimi i një qendërmbrojtësi të ri po shihet si një domosdoshmëri për sezonin e ardhshëm.

Teksa Malick Thiaw po tërheq vëmendjen e disa skuadrave, Milani ka hartuar një listë prej disa kandidatëve të mundshëm për të përforcuar vijën e mbrojtjes.

Këtu bëjnë pjesë emra si Alessandro Buongiorno (Torino), Lillian Brassier (Brest) dhe Maxcene Lacroix (Wolfsburg).

Calciomercato ka shpjeguar në detaje se si drejtori i Milanit, Moncada, ka bërë kontakt me agjentin e Diego Carlos, Giuliano Bertolucci, për të eksploruar një transferim të mundshëm gjatë verës për yllin e Aston Villës.

Milani i vlerëson lart aftësitë prej një lideri që i ka 31-vjeçari, eksperiencën, fuqinë, si dhe duelet ajrore.

Aston Villa në anën tjetër nuk do ta lejojë largimin e brazilianit për pak para, pasi paraprakisht kishin paguar 31 milionë euro për ta transferuar atë nga Sevilla në korrik të 2022.