Krerët institucionalë urojnë 16-vjetorin e Pavarësisë: Republikën e ndërtuam me ndihmën e aleatëve

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë uruar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa vlerësuan përpjekjet rezistente për një Kosovë të pavarur, krerët shtetëror u shprehën falënderues edhe ndaj aleatëve ndërkombëtarë “që ndihmuan në ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët – Republikë e Kosovës”.

“Sot shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë, shënojmë ditën kur shteti ynë u shpall i pavarur, sovran, i lirë e demokratik dhe këto 16 vite të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur natyrisht për të treguar para botës jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj por është edhe kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufirit të saj. Dua t’i kujtoj të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre që ne sot jetojmë të lirë, të gjithë dëshmorët e kombit të gjithë martirët e republikës sonë. Në këtë ditë sërish e kujtojmë vizionin e arkitektin e pavarësisë, presidentin Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve të UÇK-së në krye me kryekomandantin legjendar Adem Jashari”, ka thënë Osmani gjatë ngritjes së flamurit.

Kryeministri Albin Kurti, shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falënderues.

“U jemi falënderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues”, tha Kurti.

Urime ka pasur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka falënderuar ushtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, “veprimtarët politikë e miqtë ndërkombëtarët që dhanë gjithçka për Pavarësinë e Kosovë”.