Ademi: Uroj që në stadiumet tona të shohim futboll cilësor me plot energji e pasion

Futbolli kosovar rikthehet në aksion këtë fundjavë me ndeshjet e 1/8 finale të Kupës së Kosovës. Padyshim se sfida kryesor e këtij rrethi luhet në Gjilan, ku përballen rivalët e vjetër, Gjilani dhe Prishtina, sfidë kjo që pritet të prodhojë një ndeshje interesante pasi që të dy skuadrat synojnë t’i shkojnë deri në fund kësaj gare. E pak para fillimit të stinorit, i pari i FFK-së ka uruar skuadrat për një garë korrekte dhe stinor pranveror emocionues.

Postimi i plotë i Ademit:

Pas pushimit dimëror prej më pak se dy muaj dhe përgatitjeve intensive të shumicës së skuadrave jashtë vendit, jemi të lumtur të shohim rikthimin e futbollit në vendin tonë dhe të përgatitur për një stinor pranveror përplot emocione.

Sot fillojmë me ndeshjet e 1/8 së finales në Kupën e Kosovës, për të vazhduar në fundjavën e ardhshme me ndeshjet e AlbiMall Superligës, që me të drejtë presim të sjellin emocione të mëdha për tifozët.

Inkurajoj të gjitha skuadrat që janë pjesë e garës të japin maksimumin në fushë dhe të tregojnë vlera të larta sportive dhe të “fair-play”-it.Federata me të gjitha organet e saj ka bërë përgatitjet e duhura dhe garanton një garë të rregullt dhe zero tolerancë ndaj çdo dukurie negative.

Futbolli ynë ka treguar rritje të shkëlqyeshme në vitet e fundit falë punës dhe përkushtimit të gjithsecilit prej nesh, por së bashku mund të arrijmë në një nivel edhe më të lartë.Dua të falënderoj investitorët në klube që po i japin shtysë zhvillimit të mëtejmë të futbollit, por edhe tifozët që janë gjithmonë të përkushtuar në mbështetjen e ekipit të tyre dhe i shtojnë vlera këtij sporti.

Uroj që në stadiumet tona të shohim futboll cilësor me plot energji e pasion dhe ky stinor të sjellë emocione të paharrueshme për të gjithë ne.Mbarësi e suksese të gjitha skuadrave dhe faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme!

Bashkë për Futbollin