Kurti pas takimit me Ramën dhe Taravarin: Duhet të jemi krah për njëri-tjetrin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shqiptarët duhet të jenë krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie. Derisa ka shtuar se shqiptarët e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje.

Këto komente kreu i ekzekutivit i ka bërë pas takimit që pati bashkë me homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama dhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravarin.

Siç ka thënë Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ky takim ka ndodhur të hënën në Shkup, kur po mbahej Samiti i BE-së.

“Në Shkup, në margjina të konferencës së liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së, bashkë me kryeministrin Rama takuam dhe bashkëbiseduam me Arben Taravarin, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët.

Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje. Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie”, ka shkruar ai në Facebook.