Anëtari i Panelit Jira në UEFA, Dany Ryser, i cili ndodhet në një vizitë pune në Kosovë, ka shprehur vlerësimin e tij për punën e madhe të Federatës së Futbollit të Kosovës në fushën e edukimit të trajnerëve të futbollit. Ryser, mentor i FFK-së që nga viti 2018, ka zhvilluar takim me u.d.Sekretarin e Përgjithshëm, Markus Weidner dhe shefen e Departamentit të Edukimit, Sanije Krasniqi.
Pikë kyçe e këtij takimi ishte vendimi i Panelit Jira të UEFA-s për t’i lejuar FFK-së organizimin e kursit për Licencën A, duke filluar nga prilli i këtij viti. Dany Ryser ka vlerësuar punën e deritanishme të Departamentit të Edukimit në FFK në organizimin e kurseve për Licencat C dhe B. Gjatë takimit, është diskutuar për sukseset e arritura në periudhën e mëparshme dhe synimet në të ardhmen për trajnimet për Licencën A. Ryser ka theksuar se ky hap do të ndikojë në rritjen e nivelit të trajnerëve në Kosovë në të gjitha aspektet.
Në të shkuarën, trajnerët kosovarë ishin të detyruar që kurset për Licencën A t’i kryenin në federatat tjera, veçanërisht në Federatën Shqiptare të Futbollit. Miratimi i organizimit të këtyre kurseve në Kosovë shënon një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivit të FFK-së për krijimin e një sistemi të besueshëm dhe profesional të trajnimit në futbollin kosovar, duke përfshirë edhe Licencën UEFA Pro. Departamenti i Edukimit në FFK tashmë ka përgatitur planprogramin dhe udhëzimet e nevojshme për kursin e Licencës A, duke e përqëndruar vëmendjen në aspektet e avancuara të teknikës së futbollit dhe menaxhimit të ekipit.