“Planet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit”, Surroi dhe Mujanoviq komentojnë deklaratën e Zelenskyt

Thirrja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky që t’i kushtohet vëmendje me të madhe Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tij, ka informacione që Rusia po bën plane për një luftë të re, ka nxitur reagime të shumta në rajon nga analistë e politikanë ndërkombëtarë, e po ashtu reagime ka pasur edhe në Kosovë dhe Serbi.

Publicisti Veton Surroi në profilin e tij në platformën “X”, shkruan se se deklaratat e presidentit të Ukrainës, mbajnë një peshë të veçantë për të luftuar Rusinë, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, ai thotë se Rusia ka investuar pak në Ballkanin Perëndimor, por që ka pasur sipas tij ‘fitime të konsiderueshme’.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një zonë ku Rusia ka investuar relativisht pak, por ka pasur ‘fitime të konsiderueshme’, veçanërisht kur krahasohet me përpjekjet e bëra nga NATO dhe BE në rajon. Dhe pa ndonjë ndryshim thelbësor në politikat perëndimore, do të vazhdojë ta bëjë këtë. Deklaratat e Zelenskyt pa dyshim mbajnë peshë të veçantë për ta luftuar Rusinë”, ka thënë Surroi në reagimin e tij.

 

Për deklaratën e presidentit Zelensky, ka reaguar edhe analisti boshnjak Jasmin Mujanoviq.

Në reagimin e tij, Mujonaviq thotë se “Zelensky nuk e ka gabim”.

Ai ka pohuar se shumë prej tyre e kishin paralajmëruar edhe më herët shkallën e depërtimit të Rusisë.

“Do të thotë, nëse duan, ata mund të nxisin dhunën në rajon sipas dëshirës”, thotë mes tjerash ai në reagimin e bërë në platformën “X”.

 

Ndryshe, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky para pak ditësh, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, pasi ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai.

Reagime ka pasur edhe në Kroaci, nga analistët amerikanë, si dhe nga disa deputetë evropianë.