Statusi i Agim Ademit në facebook:
Sot është një ditë e veçantë për FFK-në dhe futbollin e Kosovës, ngase pas shtatë viteve të anëtarësimit në UEFA e FIFA, për herë të parë lansuam Strategjinë për Futbollin e Vajzave e Grave.
Si president i FFK-së jam krenar që e kemi arritur një gjë të tillë në bashkëpunim me UEFA-n e FIFA-n dhe me punën e bërë nga ekipi punues i FFK-së.
Kjo strategji është një hap i madh në zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Futbolli i femrave është prioriteti ynë dhe përmes kësaj strategjie synojmë të rrisim pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në të gjitha aspektet në futboll.
Krahas kësaj strategjie po krijojmë edhe mundësitë e duhura që vajzat t’i bashkohen futbollit përmes përmirësimit të infrastrukturës sportive.
Ne synojmë të rrisim pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e futbollit, duke filluar nga loja, trajneret, gjyqtaret dhe pozitat në administratën e Federatës. Po ashtu, synim ynë është të shohim edhe shumë vajza e gra në tribunat e stadiumeve si tifoze të futbollit.
Falënderoj FIFA-n e UEFA-n për mbështetjen, ekipin e FFK-së në hartimin e kësaj strategjie, si dhe përfaqësueset e FIFA-s, Sue Ronan Martin e Arbenita Morina dhe atë të UEFA-s, Dan Whymark për kontributin e tyre.
Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për ngritjen e mëtejme të futbollit.
Futbolli nuk njeh gjini, futbolli është për të gjithë!
#BashkëPërFutbollin