Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit e ka alarmuar edhe ambasadorin William Walker.
Walker njëkohësisht ka kërkuar që të bëhet një investigim edhe ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it.
“Për këtë rast të rëndë duhet një investigim i plotë. Duhet të kuptojmë se kush janë ata persona, kush i ka autorizuar dhe ku e kanë marrë gjithë atë armatim. Kur palët janë duke negociuar për normalizim të marrëdhënieve atëherë si është e mundur që kjo të ndodhë? Vuçiq ka shumë pyetje për t’iu përgjigjur tani. Një investigim serioz duhet të bëhet edhe ndaj KFOR-it, sepse ka zëra që thonë se ata negociuan dhe lejuan që sulmuesit të largoheshin, kur në fakt ata duhet të arrestoheshin dhe të ballafaqoheshin me drejtësinë”, ka thënë ai për Tëvë1.
E pas asaj çfarë ndodhi më 24 shtator, Walker pret reflektim nga komuniteti ndërkombëtar sa i përket çështjes së themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, e morri përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjsk të Zveçanit.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që sulmuesit e Policisë së Kosovës, e që ikën në Serbi, duhet të mbahen përgjegjës për veprën e tyre.