Agim Ademi me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Iljaz Sinës

E nderuar Familje Sina!

Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Iljaz Sina, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.

Iljaz Sina ishte një figurë e shquar në futbollin e Kosovës, me një kontribut të jashtëzakonshëm në klubet si KF Vëllaznimi, KF Flamurtari dhe KF Prishtina.

Ai ishte shembull i profesionalizmit, teksa me punën e tij i dha vulë vlerave sportive të Kosovës.

Nën drejtimin e tij KF Vëllaznimi kishte kohën e artë në futbollin e ish-shtetit federativ, derisa profesionalizmi i tij i lartë u dëshmua edhe në klubet e kryeqytetit dhe jo vetëm.

Përveç futbollit, Iljaz Sina ka lënë gjurmë të pashlyera edhe në përmirësimin e sportit në përgjithësi si Sekretar i Sportit i Kosovës. Me vizionin dhe intelektin e tij ai kontribuoi në ngritjen e shumë gjeneratave të suksesshme të sportit në vendin tonë.

Ai njihej si njeri i urtë, punëtor i madh sportiv dhe atdhetar i madh.
Kosova humbi një prej figurave më të rëndësishme të saj, por kujtimi dhe trashëgimia e Iljaz Sinës do të jenë gjithmonë të gjalla në historinë tonë.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së