Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për sa i përket çështjes se kur mund të ketë sukses dialogu me Serbinë, ku si datë e përmendi pranverën e ardhshme.
“Ne kemi gjasa të mira për të arritur sukses shumë më herët sesa viti 2030 dhe jemi të përkushtuar që të punojmë në këtë drejtim. Kryeministri e përmendi pranverën e ardhshme”, tha ajo.
Në lidhje me këtë u pajtua edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se e dinë se çfarë duhet bërë.
“Pajtohem plotësisht. E dimë se çfarë duhet të bëhet, kemi marrëveshje të shkurtit dhe të marsit, dhe mund të implementohen sapo të ketë vullnet politik, brenda disa muajsh”, tha ai.
Në diskutim u përfshi edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili kërkoi përgjigje se “çka do të ndodhë me ato marrëveshjet paraprake, të cilat i kanë nënshkruar para 10 vitesh Ashton dhe Thaçi”, teksa Lajçak iu përgjigj se “neni 10 i marrëveshjes bazike thotë se ‘të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të përmbushen plotësisht’”.
Tutje, Daçiq, insistoi tek çështja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se “para kësaj nuk mund të ecet më tutje”, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i Gërvallës, duke thënë se “e shihni që është e vështirë”.
“Ja vlenë të përmendet. E shihni që është e vështirë. Nëse kërkon arsye pse të mos lëvizet, është gjithnjë e lehtë të gjenden arsye. Mund të gjenden arsye pse mos ta bëjmë këtë diskutim, por nëse duam t’i tejkalojmë sfidat, duam t’i kalojmë këto”, tha Gërvalla.