Tre personat e dyshuar për keqpërdorimet e rezervave shtetërore janë dërguar në Gjykatën e Prishtinës.
Tëvë1 mëson se seanca dëgjimore për të vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit do të nisë pas pak minutave.
Dje, organet e rendit në Kosovë me urdhrin e Prokurorisë Speciale kanë arrestuar drejtorin e departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Garën, drejtorin e departamentin për integrime evropiane, Irfan Lipovica, si dhe afaristin Ridvan Muharremin, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.
Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Tre të arrestuarve iu është caktuar edhe masa a mbajtjes për 48 orë.
MINT bëri të ditur se janë kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të saj, si dhe është cekur se ka pasur bastisje edhe në disa ambiente dhe sekuestrim të provave materiale.
Tutje në reagimin e MINT-it thuhet se ministria mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”, u tha në reagimin e MINT-it.