Gjermania nga sot njeh avokatët e Kosovës, kushdo që ka licensë ka edhe të drejtë pune

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se avokatët nga Republika e Kosovës tashmë njihen zyrtarisht nga Gjermania.

Ai në Facebook ka thënë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, por edhe për drejtësinë kosovare.

“Çfarë lajmi i mrekullueshëm – avokatët nga Republika e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania Tani e tutje, avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare.Të njohur nga një vend i rëndësishëm si Gjermania, avokatët nga vendi ynë mund të përfshihen më lehtë në raste ndërkombëtare dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre në çështje juridike”, tha Ajeti.

“Ky kapitull i ri ofron një mundësi të jashtëzakonshme, që dija dhe përvoja e avokatëve kosovarë të jenë në proporcion të drejtë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të integrimit juridik, përkatësisht të përshtatmërisë së kuadrit ligjor të avokatisë kosovare me atë gjermane dhe evropiane. Faleminderit Ministrisë Federale të Drejtësisë për besimin e vazhdueshëm ndaj Republikës së Kosovës”, shtoi ai./teve1.info./