Vrasja në “Bon Vivant”, Rama: Urgjentisht i nevojshëm krijimi i Policisë së Kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se ka mbajtur takim me drejtorin për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica si dhe me drejtorin e Policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, pas ngjarjes që ka ndodhur mbrëmë në lokalin “Bon Vivant”, ku një person mbet i vdekur e dhjetëra të tjerë të lënduar si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Në këtë takim Rama thotë se kanë diskutuar për çështjen e sigurisë në kryeqytet dhe për hapat të cilët duhet të ndërmarrin për krijimin e Policisë së Kryeqytetit.

Sipas Ramës, krijimi i Policisë së Kryeqytetit është urgjentisht e nevojshme dhe do të ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë.

“Pas ngjarjes së mbrëmshme e cila na shqetësoi të gjithëve, bashkë me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica mbajtëm një takim urgjent me drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në #kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë”, ka shkruar Rama në Facebook.

Përfund Rama tha prioritet kanë sigurinë në kryeqytet.