Drita ka arritur një barazim të madhe 0-0 në udhëtim te Viktoria Plzen në kuadër të ndeshjes së raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Klubi gjilanas është paraqitur mirë dhe është mbajtur për plot 90 minuta në ndeshjen e parë të raundit të dytë të zhvilluar në stadiumin “Doosan Arena” të Plzenit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka përgëzuar Dritën për paraqitjen e shkëlqyer në Çeki.
Njoftimi i plotë nga Agim Ademi:
Prezantim i shkëlqyeshëm i Dritës në ndeshjen e parë të rrethit të dytë në UEFA Conference League kundër skuadrës çeke Viktoria Plzen në “Doosan Arena”!
Skuadra jonë me guxim dhe maturi arriti t’i rezistojë skuadrës së famshme çeke, e cila edicionin e kaluar luajti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në grup me gjigantët evropianë Inter, Barcelona dhe Bayern Munich, duke e mbyllur ndeshjen në barazim 0:0.
Paraqitjet si kjo i ndihmojnë klubeve tona për të fituar përvojë por edhe për t’u rritur e për të synuar suksese të mëdha.
Përgëzoj lojtarët dhe stafin e Dritës për përfaqësimin dinjitoz të futbollit tonë në këtë mbrëmje përplot emocion, me shpresë se në ndeshjen e kthimit në “Fadil Vokrri” me përkrahjen e “Intelektualëve” dhe mbarë dashamirëve të futbollit do të arrijnë të realizojnë befasi dhe të kalojnë tutje.
Le t’i mbështesim së bashku skuadrat tona në ndeshjet e garave evropiane dhe t’i japim atyre motiv e energji shtesë drejt suksesit.