Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e Zyrtares Ligjore të European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, Free Press Unlimited ka dhuruar 14 jelekë antiplumb,16 helmeta dhe 17 pako të ndihmës së parë për gazetarët në Kosovë, raporton teve1.info
Lajmin për këtë donacion e ka publikuar vet Kusari, duke e shpërndarë një postim të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, e cila e ka pranuar donacionin.
Sipas njoftimit të AGK-së, shpërndarja e pajisjeve mbrojtëse për mediet do të bëhet duke marrë parasysh nivelet e rrezikut në vend.
“Free Press Unlimited dhuron donacion mjete mbrojtëse për gazetarët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri
Organizata Free Press Unlimited – FPU, me iniciativën dhe ndërmjetësimin e Zyrtares Ligjore të European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, i ka dhënë donacion AGK-së, mjete mbrojtëse për gazetarët që raportojnë në terren ku rrezikohet siguria e tyre fizike.
Pjesa e parë e këtij donacioni që përmban 14 jelekë antiplumb, 16 helmeta dhe 17 pako për ndihmë të parë, është pranuar sot nga Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari. Teksa pritet që brenda muajit të arrijë edhe pjesa e dytë e këtyre mjeteve.
Shpërndarja e pajisjeve mbrojtëse për mediet do të bëhet duke marrë parasysh nivelet e rrezikut në vend.
Gjithashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në koordinim me ECPMF-në dhe FPU, do të bëjë shpërndarjen e jelekëve me mbishkrimin PRESS për mediet qendrore dhe lokale, të cilat raportojnë nga veriu i vendit”, thuhet në njoftim.