Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla gjatë një forumi në Dubvronik, tha se Unioni Evropian, pa Shtetet e Bashkuara dhe pa NATO-n, është një tigër prej letre.
Të pranishëm në panel ishin emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Deklaratat e saj më pas nxitën reagime.
Ky komunikim i Gërvallës, po kritikohet nga njohës të proceseve politike.
Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike konsideron se çasja e tillë mund të ketë pasoja në integrimin evropian.
“Një deklaratë e tillë nuk sjell dobi për shtetin e Kosovës. Madje është paradoksale të jipet një konstatim i tillë për BE-në, në kohën kur Kosova po përballet me një krizë reale, përkatësisht me masat që BE i ka dhënë Kosovës për shkak të krizës në veri. Duke parë dhe kundërreagimet e menjëhershme që erdhën nga Z.Lajçak dhe Escobar, nuk tregon as mature politike as diplomatike”, vlerësoi Arifi.
E njohësi i proceseve politike, Dorajet Imeri vlerëson që me objektivat e synuara nga vendi ynë, krahasime të tilla shpien dëm për imazhin e Kosovës.
“Pozicioni politik i ministres të punëve të jashte, madje edhe zëvendëskryeministres do të dobësohet. Ne kemi nevojë pikërisht për të kundërtën. Unë konisderoj që Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e saj duhet që të gjejnë fjalët e duhura për Forume të tilla…jo të bëhet pikërisht e kundërta, pra të tregohet që BE s’qenka mjaftueshëm e fuqishme”, deklaroi Imeri.
Kosova në maj të viti të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, teksa në dhjetor të të njëtit vit aplikoi për tu bërë anëtare e Unionit Evropian.