Osmani takon kryeministrin e Holandës dhe atë të Luksemburgut, kërkon anëtarësim në KE dhe BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, raporton teve1.info

Sipas komunikatës për medie, presidentja Osmani theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, derisa kërkoi mbështetje dhe përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.

Po ashtu, sipas Presidencës së Kosovës, Osmani me kryeministrat diskutuan edhe për situatën e sigurisë në veriun e vendit.

“Presidentja Osmani tha se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas Osmanit, në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.

Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.