Gjilani shkarkon trajnerin

Klubi i Gjilanit dhe trajneri Zekerija Ramadani kanë ndërprerë në mënyrë konsensuale bashkëpunimin. Në njoftimin e shpërndarë nga vetë klubi nga Kosova, vendoset theksi te fakti se drejtuesit e klubit pranuan vendimin e trajnerit shkupjan për t’u larguar.

45-vjeçari, qëndroi në krye të Gjilanit për një sezon teksa ia doli ta rendiste skuadrën në vendin e tretë të renditjes duke i siguruar kualifikimin për në raundin e parë të Conference League me shortin që i rezervoi përballjet me skuadrën nga Luksemburgu, Progress Niederkorn.

Kujtojmë se me Ramadanin në krye, Gjilani mbërriti edhe deri në finalen e Kupës së këtij sezoni, por u mposht në finale nga Prishtina. Tashmë, mbetet për t’u parë se cila do të jetë aventura e radhës e teknikut nga Shkupi që në të kaluarën ka provuar edhe në Shqipëri duke drejtuar Flamurtarin dhe Egnatian.