E nderuar Familje Fehmiu!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta në moshën 91 vjeçare të më të dashurit tuaj, ikonës së sportit të Kosovës, profesorit Arsim Fehmiu, andaj më lejoni që në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Profesor Arsim Fehmiu do të mbetet gjithmonë një figurë e shquar e sportit në Kosovë dhe një burrë i madh i arsimit. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe admirim. Ai ishte një shembull i vërtetë i përkushtimit ndaj atdheut dhe edukoi breza të tërë me pasionin e tij për sportin.
Ai pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi sportit, duke qenë ndër trajnerët e parë shqiptarë në ish-shtetin federativ, teksa në vitet e mëvetësimit me dijen dhe vizionin e tij kontribuoi në themelimin e institicioneve të pavarura sportive në Kosovë.
Trashëgimia e tij pedagogjike, arsimore dhe sportive do të vazhdojë të jetojë. Profesori Fehmiu ishte një personalitet me virtyte të larta intelektuale, një burrë i urtë, punëtor i madh dhe bujar. Ai gjithmonë ishte në mbështetje të të rinjve dhe i inkurajoi ata të merrnin pjesë në vlerat e sportit.
Duke qenë një nga themeluesit e Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës, profesor Fehmiu vuri themelet e futbollit, basketbollit, hendbollit dhe volejbollit në këtë institucion të rëndësishëm të arsimit dhe sportit në vendin tonë.
Kontributi i profesor Fehmiut ishte shumë dimensional, andaj kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i freskët.
Shpirti i tij pushoftë në parajsë!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së