Filloi turneu ndërkombëtar i organizuar nga FC 2 Korriku

Sot ka filluar turneu ndërkombëtar “International Football Tournament” i organizuar nga KF 2 Korriku i përkrahur nga Federata e Futbollit e Kosovës. Këtë vit gara do të zhvillohet ndërmjet 8 skuadrave, FC 2 Korriku, FC Ballkani, KF Vllaznia dhe FK Rabotniçki të cilat formojnë Grupin A dhe Beşiktaş J.K., KF Llapi, KF Trepça dhe KF Shkëndija të cilat i përkasin Grupit B.
Në ceremoninë hapëse të këtij turneu tradicional, përveç krerëve të ekipit nikoqir, mori pjesë edhe presidenti i FFK-së Agim Ademi, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Turç Angili, drejtori për sport në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova etj.
Presidenti i FC 2 Korrikut, Rexhep Baholli e hapi këtë turne duke falënderuar klubet pjesëmarrëse dhe mysafirët.
Në ceremoninë hapëse të turneut presidenti Ademi përgëzoi FC 2 Korrikun për idenë dhe organizmin e turneut dhe të gjithë punës që ata bëjnë në shkollën e futbollit, derisa ofroi gatishmërinë për mbështetje të të gjitha ekipeve të cilat organizojnë turne të këtij niveli e të cilat ndihmojnë në zhvillimin e futbollit kosovar, veçanërisht të rinjve. I pari i FFK-së shpreson se ky turne po ashtu do të shërbejë në zbulimin e talentëve të rinjë të cilët mund t’iu bashkohen ekipeve kombëtare.
Ndeshja hapëse e këtij turneu ishte ajo ndërmjet FC Ballkani dhe KF Vllaznia.