Barcelona gati për titullin e parë pa Messin

Barcelona mund ta fitojë titullin e ligës spanjolle këtë fundjavë dhe më në fund të fillojë ta përballojë largimin e Lionel Messit tre vjet më parë. Klubit i nevojiten vetëm dy nga 15 pikët e mbetura në lojë për të fituar ligën e tij të parë që nga viti 2019. Mundësia e parë për të siguruar titullin është të dielën kur viziton Espanyolin, rivalin lokal. Barcelona është 13 pikë përpara Atletico Madridit, ndërsa kampioni në fuqi i Spanjës, Real Madridi, është 14 pikë prapa në vendin e tretë dhe i fokusuar vetëm në gjysmëfinalen e Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn.

Herën e fundit që Barcelona ngriti trofeun e La Ligës, Messi ishte ende lider i një fuqie evropiane të frikshme, të drejtuar nga Ernesto Valverde. Kjo mbuloi një seri prej tetë titujsh të ligës në 11 sezone, mes trofeve të tjerë duke përfshirë tri Kupa Evropiane. Që atëherë, Barcelona ka pësuar një krizë të dëmshme financiare që çoi në humbjen e lojtarit më të mirë në botë dhe një rënie të mëvonshme të rezultateve në fushë.

Barcelona arriti të fitonte Kupën e Mbretit në vitin 2021 – trofeun e fundit të Messit para se të largohej te Paris Saint-Germaini nën drejtimin e Ronald Koemanit, por sezonet 2019/20 dhe 2021/22 përfunduan pa asnjë trofe. Për t’i kthyer gjërat këtë sezon, kryesia e klubit mori vendimin e diskutueshëm për të shitur një pjesë të të ardhurave të ardhshme televizive, si dhe asete të tjera, në mënyrë që të injektonte përforcime të reja në ekip, si Robert Lewandowski, Raphinha, Jules Kounde dhe Andreas Christensen. Mesfushori Sergio Busquets do ta shtojë numrin e trofeve në 32 me Barcelonën, duke përfshirë tetë titujt e ligës spanjolle, përpara se ta përfundojë karrierën e tij në klubin e tij të fëmijërisë në fund të sezonit. Barcelona përballet me Espanyolin, një rival që ka nevojë të dëshpëruar për fitore. Espanyoli rrezikon t’i bashkohet Elches tashmë të rënë në kategorinë e dytë sezonin e ardhshëm. Në vendin e parafundit, Espanyoli është tri pikë pas Getafes, gjithashtu në rrezik për rënie.

“Ne e dimë se kjo është një lojë jetë a vdekje”, tha mesfushori i Espanyolit, Nico Melamed. “Ne do ta trajtojmë këtë si një finale”.

Ndeshja do të ketë një duel midis Lewandowskit, i cili kryeson ligën me 19 gola dhe golashënuesit të tretë të kampionatit, Joselu Mato, me 14 gola. Joselu ishte ai që i siguroi Espanyolit një pikë ndaj Barcelonës në muajin dhjetor, pasi realizoi nga penalltia për rezultatin 1:1. Por fitorja e fundit e Espanyol ndaj Barcelonës në çdo garë erdhi në Kupën e Mbretit në vitin 2018. Ndërsa, në kampionat, Espanyoli nuk di për fitore ndaj rivalit të madh që nga viti 2009. Barcelona e ka kontrollin e garës për titull për gati dy muaj, pasi mposhti Real Madridin 2:1. Nëse rrëshqet kundër Espanyolit, Barça do të ketë edhe katër shanse të tjera për ta fituar titullin, duke u nisur nga Real Sociedadi xhiron e ardhshme. Barcelona ka 26 tituj të ligës spanjolle, ndërsa Real Madridi është shpallur plotë 35 herë.