Agim Ademi ka vizituar portierin Altin Gjokaj

Portieri i Drenicës, Altin Gjokaj vizitohet nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe selektori i Kombëtares së Kosovës U21, Afrim Tovërlani.

Gjokaj kishte pësuar lëndim të rëndë në ndeshjen e djeshme të kategorisë së juniorëve në mes Drenicës dhe Trepçës ’89.

Viziten te Gjokaj e ka bërë me dije Agim Ademi përmes llogarisë së tij në Facebook, shkruan kolonamedia.info, ku ka shkruar:

Sot së bashku me përzgjedhësin e Kombëtares së Kosovës U21, Afrim Tovërlani vizituam portierin e KF Drenica, Altin Gjokaj, i cili njëherësh është edhe pjesë e Kombëtares U21.

Altini gjatë ndeshjes kampionale të Superligës U19, Drenica – Trepça’89 pësoi lëndim në një duel dhe ishte për disa çaste pa vetëdije, por falë intervenimit të stafeve mjekësore të skuadrave dhe më pas kujdesit të stafit mjekësor në Skenderaj dhe Mitrovicë gjendja e tij u përmirësua dukshëm.

Altinit i dëshiruam shërim të shpejtë dhe sa më parë të rikthehet në fushën e gjelbër. Ai ka potencial për të arritur majat e suksesit dhe ne do ta përkrahim në rrugëtimin e tij.

#BashkëPërFutbollin