Qeveria e Kosovës vazhdon të mos tregojë nëse ka arritur ta definojë statusin ekipit menaxhues, i cili duhet ta hartojë draftin e statutit të Asociacionit. Po ashtu, nuk dihet nëse përbërja e kaluar është e pranueshme për Ekzekutivin, apo ajo duhet të ndërrohet. Megjithatë, një vendim për të çështje vlerësohet se duhet ta marrë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kurse njohës të procesit të dialogut, thonë se anëtarët e këtij ekipi nuk është e kënaqur Serbia.
Kosova do ta prezantojë draftin e parë të Asociacionit në takimin e radhës me Serbinë në nivel të liderëve.
Mirëpo, i paqartë vazhdon të jetë statusi i Ekipit Menaxhues i cili është përgjegjës për hartimin e tij.
As pas një jave insistim nga RTV Dukagjini, Qeveria nuk ka treguar nëse ka shqyrtuar statusin e ekipit, ashtu siç kishte paralajmëruar kryeministri Albin Kurti.
E, një qëndrim nga kreu i Ekzekutivit gazetarët nuk arritën ta marrin as të premten, pasi Kurti iu shmang atyre pas një vizite të tij në KEK.
Rrjedhimisht, nuk dihet nëse ekipi i formuar në vitin 2020 është i pranueshëm për Kurtin.
Kurse përbërja e këtij ekipi është papranueshme për Serbinë, thotë ish-zëvendësministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Milazim Gashi.
Sipas tij, Beogradi dëshiron anëtarë të tjerë.
“Grupi i caktuar për çështjen e Asociacionit de fakto është i skaduar dhe Serbia insiston në çdo variant të kyçë nivelin akademik nga Beogradi për të marrë pjesë në rithemelimin e propozimit të Asociacionit për Komunave me shumicë Serbe”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci thotë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, do të duhej ta jepte mendimin ligjor për këtë ekip.
“Me sa kam kuptuar, Ministria është duke punuar diçka në këtë drejtim por nuk ka diçka konkrete në opinion që është plasuar dhe që ne do të mund ta analizonim. Por ekipi është themeluar dhe ajo ekziston. Tash dilema ime kryesore dhe pyetja kryesore është se a është duke punuar ky ekip apo ky ekip do ta prezantojë atë draft të statutit është folur shumë në të kaluarën”, ka thënë Raci.
Për dilema ka folur kryenegociatori Besnik Bislimi pas takimit të së martës me homologun e tij serb, Petar Petkoviq.
Zëvendëskryeministri kosovar ka thënë se ka paqartësi se kujt duhet t’i dërgohet drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet ai.