Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për gati tri vjet në procedurë të gjatë paragjyqësore, sot do të dalin para trupit gjykues.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.
Gjykimi do të fillojë me fjalën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të vazhduar me deklaratat hyrëse të mbrojtjes. Ndërsa, deklaratat hyrëse do të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill.
Gjykata Speciale ka njoftuar se 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
“Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.