Edon Zhegrova shënoi golin e avantazhit për Kosovën dhe të parin e “Dardanëve” në këto eliminatore, megjithatë skuadra nuk ia doli të marrë tri pikët ndaj Andorrës.
Duke folur për emisionin “Dardanët” në SuperSport, sulmuesi që luan për Lille në Francë, deklaroi se është momenti që të shohin përpara, pasi sot nuk ishte dita e Kosovës.
Një barazim që dhemb dhe ndihet si humbje…
Shumë e vërtetë dhe jemi të zhgënjyer, pasi të gjithë prisnim fitoren. Ndoshta dëshira e madhe për fitore ka ndikuar në lojën tonë. Ata luajtën gjithë kohës në mbrojtje, por ishim edhe pa fat, pasi duhej të bënim më mirë në rastin e golit të pësuar. Megjithatë tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të shohim përpara.
Pse Kosova ka prodhuar kaq pak raste?
Kur kundërshtari mbrohet me 11 lojtarë, bëhet e vështirë. Sot nuk ishte dita jonë, ndaj duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme. Duhet të fokusohemi te e ardhmja, për të korrigjuar gabimet që kemi bërë.