Wednesday, November 27, 2024
Home INFO Krasniqi reagon pas vendimit për KPK-në: S’lejojmë kurrë të shkelet Kushtetuta nga...

Krasniqi reagon pas vendimit për KPK-në: S’lejojmë kurrë të shkelet Kushtetuta nga pretendimet uzurpuese të pushtetit

“Partia Demokratike e Kosovës edhe njëherë dëshmoi se ju shërben interesave të qytetarëve e të shtetit tonë, duke mbrojtur rendin kushtetues përkundër tentativave të Qeverisë Kurti për ta shkelur atë”.

Kështu deklaroi të premten kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Edhe sot, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke e shpallur si anti-kushtetuese përpjekjen e Kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin dhe profesionalizmin e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ai tutje tha se nuk mund dhe nuk do të lejojnë asnjëherë që Kushtetuta të shkelet, “nga pretendimet uzurpuese të pushtetit”.

“Ngjashëm si në këtë rast, do ta kundërshtojmë secilën nismë qeveritare që synon t’ia nënshtrojë të drejtën diktatit të një njeriu dhe qëllimeve autoritare të këtij pushteti”, përfundoi Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.